Trepça pëson për një gol, i mungon fati në fund

Trepça është ndalur në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Por skuadra mitrovicase ka luajtur dy ndeshje të forta dhe plotësisht të barabarta me Vogoshqan e Bosnjë-Hercegovinës. Të dy ndeshjet u luajtën në Vogoshqa, që doli të jetë vendim i pa menduar mirë i klubit mitrovicas.
Pas barazimit 27:27 të premten, Trepça të dielën mbrëma pësoi 31:30 dhe u eliminua. Pjesa e parë i ka takuar skuadrës vendase, që krijoi epërsi deri në pesë gola. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 18:14.
Vendasit ishin në epërsi deri në minutën e 45-të, kur rezultati u barazua 25:25. Në minutën e 56-të, Trepça kaloi në epërsi 29:28, por pasoi një seri e mirë e pritjeve të portierit vendas, që mbajti në lojë Vogoshqan. Tri pritje rresht edhe vendosën sfidën, duke mos lënë anash edhe disa vendime të dyshimta të gjyqtarëve në momentet vendimtare.
Portierët e Vogoshqës i kishin 18 pritjet, ndërsa ata të Trepçës tetë dhe ky ishte ndryshimi kryesor. Deniz Terziqi ka shkëlqyer me 11 gola për skuadrën mitrovicase. Shtatë i kishte Marley Wallace, ndërsa nga katër i shënuan Rron Ramadani e Lulzim Shabani.

Lajme tjera