Trepçës i takon derbi, për Rahovecin fitorja e 14-të

Të dielën u luajtën tri ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll.
Kryendeshjen e ditës e zhvilluan Prishtina e Trepça. Takimin e xhiros së 14-të, të zhvilluar në Bardhosh, e fituan mitrovicasit me rezultat 35:27.
Prishtina nisi më mirë dhe ishte në epërsi deri në minutën e 12-të. Më pas në epërsi kaluan mitrovicasit dhe pjesa e parë përfundoi 15:12 për Trepçën.
Në pjesën e dytë mysafirët mbajtën vazhdimisht epërsi dhe në fund triumfuan me tetë gola dallim.
Yassine Henahem e Shpëtim Mehmeti i kishin nga gjashtë gola për Trepçën. Pesë i shënoi Hamdi Salihu, ndërsa katër Sali Maxhera. U shqua sidomos portieri Liridon Esati me pritje të shumta.
Te Prishtina, Albi Gjuka i shënoi shtatë gola, ndërsa Oltion Beshiri gjashtë. Vladyslav Napadailov i kishte pesë gola, ndërsa Agon Bajqinovci katër.
Trepça përfundon stinorin vjeshtor në pozitën e tretë me 20 pikë. Prishtina është e pesta me 14 pikë.
Kampion vjeshtor është Rahoveci që i fitoi të gjitha 14 ndeshjet. Të dielën fitoi bindshëm ndaj Deçanit, 48:29. Alban Haziri i shënoi nëntë gola për Rahovecin, ndërsa shtatë i kishte Mali Luzha. Te Deçani, Albion Loshaj e Florian Loshaj i kishin nga tetë gola.
Rahoveci ka 28 pikë në vendin e parë, ndërsa Deçani është i gjashti me 6 pikë.
Ndeshja tjetër e së dielës ishte ajo mes Vushtrrisë dhe Vëllaznimit. Vendasit fituan 32:30. Vushtrria ishte para në rezultat thuajse gjatë gjithë ndeshjes dhe mori pikët e rëndësishme.
Fitim Klinaku i kishte 11 gola, ndërsa dhjetë i shënoi Muhamet Hyseni. Te Vëllaznimi, Ardi Halili realizoi dhjetë gola, ndërsa shtatë i kishte Arnis Spahija.
Vushtrria është e shtata me katër pikë. Vëllaznimi mbetet me dy pikë në pozitën e tetë, përkatësisht të fundit.

Lajme tjera