Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të mbështetjes financiare për federatat e sportit ka nënshkruar sot memorandume bashkëpunimi edhe me 3 federata të sporteve kolektive. Shuma totale e mbështetjes financiare arrin në vlerën e mbi 750 mijë eurove.
Memorandumet e sotme u nënshkruan me Federatën e Futbollit të Kosovës e cila u mbështet me 276 mijë e 590 euro, me Federatën e Hendbollit të cilës do t’i ndahen 245 mijë e 752 euro dhe me Federatën e Volejbollit të Kosovës e cila u përkrah me 243 mijë e 678 euro. Në bazë të memorandumeve, federatat janë të obliguara që këto mjete t’i shfrytëzojnë për realizimin e politikave të tyre programore.
Ministri Kujtim Gashi, me këtë rast tha se përkrahja e MKRS-së këto memorandume nënshkruhen në kuadër të realizimit të përkrahjes së drejtpërdrejtë të federatave. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për sportet kolektive, ku masiviteti në sport është njëri ndër prioritetet e ministrisë.
“Me këtë përkrahje, ministria po krijon mundësi dhe po ua lehtëson federatave realizimin e planeve dhe objektivave të tyre. Me këto memorandume krijohen federatat do të funksionojnë me më efikasitet, do të kenë pavarësinë e plotë për ta avancuar sportin në Kosovë”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi.
Në anën tjetër, drejtuesit e federatave e falënderuan ministrin për përkrahjen që po i ofron sportit në përgjithësi. Ata u shprehën se me mbështetjen që MKRS-ja ka dhënë për federatat përkatës, do të ndihmohet sporti dhe sportistët, duke premtuar se do të fokusohen në masivizimin dhe cilësinë në sport.