Të mërkurën paradite në Prishtinë është mbajtur mbledhje komemorative për profesoreshën Shqipe Bajçinca – Brestovci. Profesoresha Bajçinca – Brestovci ndërroi jetë të dielën pas një sëmundje të gjatë.
Për mbi dy dekada ajo ishte profesoreshë në Fakultetin e Edukatës Fizike, ndërsa ishte pjesë e rëndësishme e Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ka mbajtur postin e komesares së garave, ndërsa deri në frymën e fundit ishte kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës. E ndjera ishte edhe delegate e ndeshjeve e Federatës Evropiane të Hendbollit.
Në mbledhjen komemorative për profesoreshën Shqipe Bajçinca – Brestovci ka folur presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, drejtues të MKRS-së, KOK-ut, Universitetit të Prishtinës e Fakultetit të Edukatës Fizike.
“Ajo vërtetë ishte e veçantë, kishte energji, kurajo dhe ishte shumë e përkushtuar ndaj punës dhe aktiviteteve të shumta. Shqipja ishte shembull i jashtëzakonshëm në cilësinë e delegates së EHF-së. Ishte pjesë e ekipeve të organizimit të ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare të hendbollit në vendin tonë. Na tregoi për përkushtimin e saj ndaj familjes, ndaj fëmijëve të saj dhe bashkëshortit. Jam i bindur që do ta përmendim dhe kujtojmë shumë, shumë gjatë. Emri i saj do të shkruhet në histori”, ka thënë presidenti Saraçini.
Në fund të mbledhjes për profesoreshën Bajçinca – Brestovci foli djali i saj, Gjergji.
“Për mua ishte nëna më e mirë. Më ka edukuar më së miri. Ndonëse u nda herët nga jeta, e jetoi jetën më të plotë të mundshme”, ka thënë ai.