Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Vdiq Ahmet Petrova, kontribuesi i madh i hendbollit kosovar

Federata e Hendbollit e Kosovës me pikëllim të thellë ka pranuar njoftimin për vdekjen e Ahmet Hysenaj – Petrova, kontribues shumë i madh i hendbollit kosovar. I ndjeri Petrova për rreth gjysmë shekulli ka dhënë kontribut të çmuar për hendbollin ferizajas dhe rrjedhimisht për hendbollin kosovar në përgjithësi. I ndjeri ishte pjesë e kryesisë së Borcit të Ferizajt, në ditët më të lavdishme të këtij klubi, ndërsa në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Borcit kur Borci garonte në Ligën e parë të ish shtetit tani të shpërbër. Ishte kryetari i parë pasi klubi ndryshoi emrin në Kastrioti, pas pavarësimit të sportit kosovar.

I pari i klubit ferizajas ka qenë edhe pas luftës, për kohë të gjatë dhe në disa periudha. Ka drejtuar dhe financuar edhe klubin e femrave Kastrioti. Nën drejtimin e tij skuadrat ferizajase kanë fituar shumë trofe.
Petrova ishte pjesë e rëndësishme e hendbollit deri në ditët e fundit të jetës. Sporti ynë ishte pjesë e rëndësishme e jetës së tij.

Në emër të FHK-së dhe familjes kosovare të hendbollit, familjen e të ndjerit e ngushëllon presidenti Eugen Saraçini.

“Kontributi i Ahmet Petrovës për hendbollin kosovar është i çmuar. Ai do të kujtohet gjithnjë si kontribues i madh në periudha të ndryshme. Vlera e Petrovës për hendbollin tonë është me shumë peshë. Unë kam humbur një mik, ndërsa familja e hendbollit një anëtar të rëndësishëm”, ka shkruar presidenti Saraçini.

FHK-ja javën e kaluar e nderoi Ahmet Petrovën me Mirënjohje për Vepër Jetësore.