Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Vdiq Bedri Hajzeraj, emër i çmuar i hendbollit dhe sportit istogas

Istogu dhe gjithë Kosova të hënën ka mbetur pa një aktivist të veçantë sportiv. Ka vdekur Bedri Hajzeraj, që ka dhënë kontribut të madh për hendbollin dhe sportin në Istog dhe në rrethinën e këtij qyteti.

Ai ishte arsimtar i Edukatës Fizike në fshatin Uçë e  më pas zyrtar për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Istogut. Kishte formuar Ligën e shkollave fillore në hendboll e futboll të vogël.

I ndjeri Hajzeraj ishte bashkëthemelues i klubit të hendbollit Rakoshi ku u angazhua edhe si lojtar.

Ky klub më vonë u shndërrua në KH Istogu, ndërsa Bedri Hajzeraj e kreu detyrën e trajnerit. Ai po ashtu ka riaktivizuar klubin e basketbollit Istogu, ndërsa është edhe bashkëthemelues i KHF Istogu, aktualisht lider në Superligën e Kosovës.

Kontributi i tij për klubet Rakoshi dhe klubet istogase, e rrjedhimisht për gjithë hendbollin e vendit do të çmohet gjithnjë.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, në emër të familjes së madhe të hendbollit kosovar i shpreh ngushëllime familjes Hajzeraj. Kontributi i tij do të jetë i çmuar nga gjenerata të tëra.