Ka vdekur të shtunën Ferki Nici, figurë e rëndësishme e hendbollit mitrovicas dhe hendbollit kosovar në përgjithësi. Ferki Nici ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare. I ndjeri në vitet e fundit ka jetuar në Holandë, por rregullisht ka qëndruar për vizitë në Mitrovicë dhe ka kaluar muaj të tërë në shoqëri me njerëzit e hendbollit dhe duke diskutuar për hendbollin.
Nici ishte lojtar i dalluar i Trepçës, për të cilën skuadër luajti prej viti 1968 e deri në vitin 1978. Gjatë studimeve luajti edhe për Prishtinën.
Prej vitit 1980 e deri në vitin 1992 ishte trajner në klubin e Trepçës. Në vitin 1991, pas mëvetësimit të sportit kosovar, Bordi i FHK-së e zgjodhi selektor i Kosovës.
Si lojtar, i ndjeri Nici kontributin më të madh e dha në edicionin 1974/75, kur Trepça për herë të parë luajti në Ligën e Dytë Federative të Jugosllavisë. Kurse rezultatin dhe kontributin më të madh si trajner e ka dhënë në edicionin 1979/1980, kur mitrovicasit u inkuadruan në Ligën e Parë federative.
Si trajner ka pasur në ekip emra të mëdhenj të hendbollit tonë. Ka drejtuar një kohë edhe Kosovën e Vushtrrisë.
Ferki Nici asnjëherë nuk i është ndarë hendbollit dhe vazhdimisht ka përcjellë zhvillimet në sportin tonë. Ky strateg i mirënjohur ka dhënë shumë për hendbollin, sidomos atë mitrovicas.
“Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e shumë të respektuarit Ferki Nici. Hendbolli ynë ka mbetur pa një person të dashur e të respektuar nga të gjithë. Në emër të familjes kosovare të hendbollit i shpreh ngushëllimet më të thella klubit Trepça, njerëzve të hendbollit në Mitrovicë e sidomos familjes së nderuar Nici”, ka shkruar presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini në telegramin e ngushëllimit për vdekjen e Ferki Nicit.