Ka ndërruar jetë doajeni i sportit kosovar, profesor Arsim Fehmiu. Profesor Fehmiu vdiq të martën në Prishtinë në moshën 91-vjeçare.
Kontributi i të ndjerit për zhvillimin e sportit kosovar është i madh. Ai ka kontribuuar edhe në zhvillimin e hendbollit në vendin tonë. Ishte pjesë e skuadrës Normalisti, të themeluar në vitin 1953. Më pas ishte edhe trajner i kësaj skuadre, që shënon vitet e para të hendbollit në Kosovë.
Profesor Arsim Fehmiu ka dhënë kontribut të madh edhe në shkollimin e kuadrove të hendbollit, në kuadër të Fakultetit të Kulturës Fizike në Prishtinë.
“E nderuara familja Fehmiu. Në këtë moment të vështirë për ju, ndajmë dhimbjen për vdekjen e një personaliteti të rrallë të sportit dhe edukimit në vendit tonë. Kontributi i të ndjerit, profesorit Arsim Fehmiu për zhvillimin e sportit dhe të hendbollit në veçanti do të kujtohet gjithnjë nga familja kosovare e hendbollit. Ju keni mbetur pa një anëtar të familjes e ne si komunitet i hendbollit pa një figurë të shquar të sportit tonë dhe të edukimit”, thuhet në telegramin që presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini i dërgon familjes së nderuar Fehmiu.