Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Vdiq Xhemail Kasumi, pionier i hendbollit kosovar dhe më meritori për ngritjen e Borcit

Hendbolli kosovar ka mbetur pa një personalitet shumë të rëndësishëm. Dje ka vdekur Xhemail Kasumi, pionier i hendbollit kosovar dhe më meritori për shndërrimin e Borcit të Ferizajt në superfuqi të hendbollit. Ai ka vdekur në moshën 83-vjeçare, ndërsa varrimi i të ndjerit është bërë sot.
I ndjeri Kasumi ishte lojtar i gjeneratës së parë të hendbollistëve kosovarë, te Normalisti, duke filluar nga viti 1953. Më vonë karrierën e lojtarit e ka vazhduar në qytetin e lindjes, në Ferizaj.
Ndërkohë mori drejtimin e Borcit, ndërsa ka mbajtur postin e kryetarit kur Borci në vitet shtatëdhjeta fillimisht u bë pjesë e ligës së dytë e më pas edhe të ligës së parë të shtetit të atëhershëm federativ. Borci nën drejtimin e Kasumit u kthye në forcë hendbolli dhe shembull të organizimit.
Javë më parë Federata jonë ka nderuar Kasumin me Mirënjohje për Vepër Jetësore.
“Me vdekjen e shumë të respektuarit Xhemail Kasumi, familja jonë e hendbollit ka mbetur pa një personalitet të veçantë. Kontributi i tij për sportin tonë është shumë i madh. Vepra e tij do të kujtohet gjithnjë. Në emër të komunitetit të hendbollit i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së nderuar Kasumi”, shkruan në telegramin e presidentit të FHK-së, Eugen Saraçini.