Vëllaznimi synon një tjetër befasi

Pas fitores së madhe ndaj Prishtinës, Vëllaznimi synon një tjetër triumf me peshë. Të shtunën nga ora 16:00, hendbollistet e skuadrës gjakovare i presin ato të skuadrës së Vushtrrisë.

Ndeshja Vëllaznimi – Vushtrria i takon javës së katërt të Superligës së hendbollisteve. Vushtrria natyrisht udhëton në Gjakovë për fitoren e radhës dhe do të mbështetet në përvojën dhe cilësinë që ka. Me Vëllaznimin e trimëruar nga fitorja në udhëtim me Prishtinën, me të drejtë pritet ndeshje e fortë dhe interesante. Vushtrria mban vendin e katërt me 4 pikë, sa i ka edhe Vëllaznimi në pozitën e gjashtë.

Të shtunën janë edhe dy ndeshje tjera të javës së katërt. Kastrioti e pret Samadrexhën nga ora 18:00, ndërsa Shqiponja e Jusuf Gërvalla takohen nga ora 12:30.
Prishtina synon të kthehet te fitorja të dielën, kur e pret Dukagjinin. Kjo ndeshje luhet nga ora 18:00.

Derbi i javës në mes të Ferizajt dhe Istogut është shtyrë për shkak të ndeshjeve evropiane të Ferizajt. Për shkak të aktiviteteve të ekipeve kombëtare, në fundjavë nuk do të ketë ndeshje në Superligën e meshkujve.

Por gara vazhdon në Ligën e Parë në të dy konkurrencat. Te hendbollistët është java e dytë në Ligën e Parë. Të shtunën është ndeshja Istogu – Drita, ndërsa të dielën janë takimet Prizreni – Dukagjini, Samadrexha – Lepenci dhe Ulpiana – Vjosa.

Edhe hendbollistet e Ligës së Parë e luajnë javën e dytë. Ulpiana – Vjosa dhe Llapusha – Prizreni janë ndeshjet e së shtunës. Ndërsa të dielen janë takimet KEK-u – CLICK dhe Trepça – Drita.

Lajme tjera