Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Vlerësime maksimale nga të gjitha anët për FHK-në

Në adresë të Federatës së Hendbollit të Kosovës vazhdojnë të vijnë letra përgëzimi lidhur me organizimin e shkëlqyeshëm të garës IHF Trophy për Evropë dhe për suksesin e kombëtareve U20 dhe U18 të Kosovës që fituan titullin e kampionit. Një ditë pas përfundimit të kësaj gare me rëndësi, presidenti I Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), Hassan Moustafa kishte dërguar letër për presidentin e FHK-së, Eugen Saraçini përmes të cilës e ka uruar për organizimin madhështor dhe suksesin e kombëtareve të Kosovës në IHF Trophy.

Vlerësimet e larta nga IHF kanë vazhduar edhe në letra tjera të dërguara në adresë të federatës tonë. Kështu  departamenti për media i IHF-së tashmë është duke punuar një storie për Kosovën, përkatësisht për zhvillimin pozitiv të hendbollit në vendin tonë. Kjo vjen pas vlerësimit shumë pozitiv që IHF-ja ia ka bërë organizimit të IHF Trophy nga Federata jonë.

Letra përgëzimi kanë ardhur edhe nga përfaqësues të federatave që kishin ekipet kombëtare në Prishtinë gjatë javës së kaluar. Sekretari gjeneral i Federatës së Hendbollit të Moldavisë, Nikolaj Vizitu ka vlerësuar organizimin e bërë nga FHK-ja, njëjtë si sekretarja e Federatës së Gjeorgjisë, Ketevan Koberidze. Edhe selektori i Gjeorgjisë, Gjorgje Rashiq, ish-lojtar i njohur, është shprehur i befasuar me nivelin e lartë të kombëtares U20 të Kosovës e poashtu ka falenderuar FHK-në për organizim të shkëlqyeshëm.

Një letër së fundi ka ardhur edhe nga Federata e Hendbollit e Britanisë së Madhe. “Duam t’iu falendërojmë për kujdesin e madh të treguar ndaj ekipeve tona gjatë garës IHF Trophy dhe t’iu përgëzoj për organizimin e një turneu të suksesshëm dhe për fitimin e dy titujve. Për vende si Britania e Madhe këto gara janë mundësi fantastike për të zhvlluar ekipet tona. Të gjithë lojtarët e trajnerët kanë shijuar maksimalisht këtë përvojë dhe tani kanë kujtime që do t’i mbajnë për jetë”, thuhet në letrën e Paul Bray, udhëheqës i Federatës së Hendbollit të Britanisë së Madhe.