Vlerësohet pozitivisht paraqitja e Kosovës

Përkundër humbjes, paraqitja e hendbollisteve të Kosovës ndaj Bjellorusisë është vlerësuar lart. Kosova të mërkurën mbrëma në Prishtinë humbi nga Bjellorusia me rezultat 31:22 në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2018”. Vlerësime pas ndeshjes kanë dhënë përzgjedhësi i Kosovës Agron Shabani, kapitenja Leonora Demaj, hendbollistet Mirela Gjikokaj e Albana Arifi dhe përzgjedhësi i Bjellorusisë, Tomaz Cater.

Agron Shabani: Kemi luajtur mirë dhe jam i kënaqur me paraqitjen që kishim. Nuk kemi nisur ndeshjen mirë, kemi humbur raste të mira, por jemi kthyer më pas. Dallimi më i madh ishte në përvojën e lojtareve. Ky është edhe një hap para për Kosovën”.

Leonora Demaj: Ka shumë lojtare të reja në ekip, unë kam ardhur pak ditë më parë dhe na duhet kohë për komponim më të mirë. Por ka shumë përparime në lojën tonë. Rezultati për ne është shumë i vlefshëm, është si një fitore. Jam e kënaqur me lojën dhe me rezultatin. Ne po rritemi”.
Demaj ka realizuar nëntë gola dhe sërish ka udhëhequr përfaqësuesen. Tetë gola i shënoi Mirela Gjikokaj që po bëhet shtyllë e ekipit.

“Pjesa e parë ishte më e zbehtë, ndërsa në të dytën kemi luajtur shumë më mirë. Kemi guxuar më shumë, kemi depërtuar dhe kemi shënuar shumë gola. Ishim të barabarta me bjelloruset dhe në përgjithësi jemi të kënaqura”, ka thënë Gjikokaj.

Albana Arifi u ka qëndruar afër bashkëlojtreve, ndonëse i duhet të pres deri në verën e vitit të ardhshëm që të fitojë të drejtën të luajë për Kosovën, pas ndërrimit të përfaqësueses. Deri në verën e vitit 2016 ajo ka luajtur me plot sukses për Suedinë, për grupmoshat e reja. Këtë vit vendosi që të luajë për Kosovën dhe ishte prej më të dalluarave në grumbullim. Përkrahje të madhe ofroi edhe gjatë ndeshjes.

“Kam pasur emocione, kam qajtur kur është intonuar himni i Kosovës. Pasi për shkak të lëndimit kam munguar gjatë, isha shumë e uritur për lojë. Por pasi IHF-ja tha se duhet të pres, unë jam munduar që të ofrojë përkrahje maksimale për lojtaret tjera. Jam munduar të bëjë zhurmë sa më shumë. Pjesa e parë nuk ishte e mirë, por e dyta ishte shumë e mirë. Lojtaret ishin të guximshme, kanë futur hundët në sulm dhe kanë realizuar shpesh. Unë kam kaluar shumë mirë gjatë grumbullimit, ky grumbullim do të më ndihmojë shumë për të ardhmen”.

Selektori i Bjellorusisë Tomaz Cater ka krahasuar ndeshjen me atë të vitit 2016.

“Kosova luajti shumë më mirë se dy vite më parë. Shihet një diciplinë e madhe te Kosova si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Ne në momente kemi luajtur shumë mirë e në moment kishim lëshime. Poashtu na kanë munguar pesë lojtare me rëndësi, për shkak të lëndimeve. Shihet që ekipi i Kosovës ka punuar shumë”.

Lajme tjera