Vushtrria mposht Prishtinën në kryeqytet

Hendbollistët e Vushtrrisë kanë shënuar fitore të madhe në kuadër të Superligës A. Të enjten pasdite në kuadër të xhiros së 21-të, Vushtrria fitoi në kryeqytet ndaj Prishtinës me rezultat 38:33.
Vushtrriasit e nisën ndeshjen më mirë dhe krijuan epërsi prej 3:0 e më pas prej 6:2. Në minutën e 18-të rezultati ishte 14:8 në të mirë të mysafirëve. Prishtina ia doli të afrohet në dy gola (16:14), por Vushtrria u shkëput sërish.
Në pjesën e dytë Prishtina u afrua deri në një gol (28:27, 29:28, 31:30), por prapë mysafirët bënë shkëputje për ta mbyllur ndeshjen me festë.
Bozhidar Nikoçeviq i shënoi nëntë gola për Vushtrrinë. Gjashtë i kishte Felippe Teixeira, ndërsa nga pesë i shënuan Nemanja Drakuloviq dhe Erkan Abazxhiku.
Te Prishtina më efikasi ishte Oltion Beshiri me 6 gola. Nga 5 i shënuan Agon Bajqinovci e Enis Kuleta.
Vushtrria ka kaluar në vendin e pestë me 20 pikë. Prishtina mbetet e treta me 21 pikë.

Lajme tjera