Të shtunën e të dielën luhen ndeshjet e javës së 28-të në Superligën A të Kosovës në hendboll. Është kjo xhiroja e fundit e Superligës A. E hapur ka mbetur gara për pozitën e tretë, të cilën e kërkojnë dy skuadra. Aktualisht e treta është Trepça me 31 pikë, ndërsa Rahoveci mban pozitën e katërt me 30 pikë.
Rahovecit i duhet fitorja ndaj Prishtinës, të shtunën nga ora 20:00 dhe të shpresojë që Vëllaznimi ta ndalë Trepçën. Ndeshja Vëllaznimi – Trepça është të dielën nga ora 17:00.
Pavarësisht rezultatit në Prishtinë, Trepça udhëton për fitore në Gjakovë.
Prishtina e përfundon garën në Superligën A në pozitën e dytë. I ka 43 pikë aktualisht. Vëllaznimi do të përfundoi i gjashti, ndërsa i ka 21 pikë nga 27 ndeshje.
Të shtunën është edhe ndeshja në mes të Besa Famgasit dhe Kastriotit, që po ashtu fillon në ora 20:00. Besa i ka fituar 27 ndeshjet e deritashme dhe synon fitoren e 28-të rresht.
Edhe në Superligën B luhet xhiroja e fundit. Të shtunën nga ora 20:00 është ndeshja Deçani – Drenica, që i takon xhiros së 24-t.