Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Zherka: Ndeshja me Bullgarinë, shumë e rëndësishme

Side profile of Verim Zherka looking on during a match

Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll e luan të martën ndeshjen e parë në IHF Trophy për zonën evropiane. Prej orës 18:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Kosova U18 përballet me Bullgarinë.
Kosova U18 e kërkon vendin e parë në këtë ngjarje, që mundëson avancim në fazën ndërkontinentale. Fituesi i fazës ndërkontinentale kualifikohet në Botëror. E njëjta vlen edhe për Kombëtaret U20. Kështu që IHF Trophy që fillon të martën në Prishtinë është ngjarje me shumë rëndësi.
Trajneri i Kosovës U18, Verim Zherka, është i kënaqur me përgatitjet e bëra.

“Tubimi i parë në Gjakovë më shumë kishte karakter testues. I kishim 26 lojtarë dhe këtë numër e reduktuam në 16 për tubimin e dytë që për një javë u zhvillua në Istog. Jemi munduar të eliminojmë mangësitë teknike dhe taktike që i kishin lojtarët si në aspektin individual ashtu edhe në atë kolektiv. E kemi një gjeneratë të shkëlqyeshme që na jep shpresë dhe kurajë që në të ardhmen të kemi lojtarë të kalibrit të lartë. Por këta djelmosha duhet të bëjnë punë akoma më profesionale”, ka theksuar Verim Zherka.
Ai ka folur edhe për synimet në IHF Trophy.

“Sa i përket synimeve tona në këtë garë, natyrisht që është ta fitojmë trofeun dhe të kualifikohemi në Botëror. Konkurrente do ta kemi Gjeorgjinë dhe Bullgarinë, por nuk bën të anashkalohet as Britania e Madhe. Shumë me rëndësi për ne do të jetë ndeshja e parë me Bullgarinë që e luajmë nesër nga ora 18:00. Duhet të japim maksimumin për këtë fitore që pastaj të jemi pak më komod në ndeshjet e radhës e posaçërisht në atë me Gjeorgjinë”, ka shtuar Verim Zherka.
Kombëtareve U18 dhe U20 të Kosovës u duhet përkrahja për sukses në IHF Trophy.