Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Esati: Është vetëm fillimi i një rrugëtimi të jashtëzakonshëm

Liridon Esati është shpallur lojtari më i vlefshëm (MVP) i turneut final të Kupës së Kosovës në hendboll. Me pritje të shumta, portieri Esati udhëhoqi mbrojtjen e Kastriotit që të dielën e fitoi finalen ndaj Besa Famgasit. Esati u shqua edhe në gjysmëfinale ndaj Trepçës.

Kastrioti ka fituar trofe pas shumë vjetësh, ndërsa ferizajasit tani kanë synime dukshëm më të mëdha. Liridon Esati po ashtu.

“Jam i lumtur që kam pranuar këtë çmim të shkëlqyer si MVP i Kupës së Kosovës në hendboll. Është një nder i madh për mua dhe një moment që do të mbaj gjithmonë në kujtesë. Dua të falënderoj ekipin tim të shkëlqyer, KH Kastrioti, stafin trajnues dhe bordin drejtues të klubit për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë gjithë turneut. Tifozët e Kastriotit kanë qenë një burim i jashtëzakonshëm i energjisë dhe mbështetjes, dhe për këtë i falënderoj thellësisht. Ky sukses nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ekipin tonë. Kemi punuar fort për të arritur këtë objektiv, dhe është një ndjesi e mrekullueshme të shohim përpjekjet tona të shpërblehen në këtë mënyrë”, ka thënë Esati.

Ai u kthye në janar nga Trepça. Kastrioti tani nis sulmin për titull të kampionit.

“Ky çmim më nxit për më shumë angazhim dhe përkushtim për të vazhduar të përparoj dhe të jap maksimumin në fushën e hendbollit. Synimi im është të vazhdoj të përmirësohem dhe të ndihmoj ekipin tim të zemrës të arrijë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen. Faleminderit për këtë çmim të madh, dhe uroj që ky të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe të suksesshme për ne si ekip dhe për mua personalisht në karrierën sportive. Faleminderit për mbështetjen dhe për këtë mundësi për të ndarë këtë moment me të gjithë ata që më kanë mbështetur në rrugën time”, ka shtuar Esati.

Lajme tjera