Ferizaj fiton Kupën e Kosovës për herë të parë

Ferizaj është fitues i Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Ferizaj, i themeluar si klub në vitin 2018, e ka fituar Kupën për herë të parë.
Në finalen shumë dramatike, të zhvilluar të dielën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Ferizaj e mposhti Istogun. Ndeshja finale përfundoi me rezultat 28:27 në të mirë të ekipit ferizajas.
Në fakt në pjesën e parë Ferizaj dominoi plotësisht. Pas 30 minutave rezultati ishte 16:11. Por istogaset nuk u dorëzuan. Luftuan shumë në pjesën e dytë dhe e ngushtuan rezultatin në një gol. Por nuk ia dolën të barazojnë, ndonëse fundi i takimit ishte shumë dramatik. Shkurta Mehmeti e Amanda Stein ruajtën qetësinë në momentet vendimtare dhe shënuan golat që Ferizajt ia siguruan suksesin e madh.
Salemateu Camara ishte më efikasja te Ferizaj me shtatë gola. Nga pesë i kishin Sabrina Mar Morinigo e Amanda Stein, derisa nga katër i kishin Luljeta Sopjani e Amanda Lemos De Andrade.
Ana Carolina Gomes i kishte 11 gola për Istogun. Me pritje në pjesën e dytë u dallua Blerta Ahmetxhekaj, ndërsa Albina Rugova i kishte pesë gola.
Kupën, kapitenes së Ferizajt, Aida Stagova, ia dorëzuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.

Lajme tjera