Kosova sërish humb për një gol nga Greqia

Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka humbur edhe një ndeshje të fortë me Greqinë. Të dielën pasdite në Heraklion, Kombëtarja jonë humbi me rezultatin 26:25. Me një gol epërsi, Kosova kishte humbur nga Greqia edhe në Prishtinë.
Djemtë tanë nuk e hapën ndeshjen në mënyrën më të mirë. Gradualisht u kthyen, por edhe fundi i pjesës së parë nuk ishte i duhuri. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 14:9.
Në pjesën e dytë epërsia e vendasve shkoi deri në dhjetë gola, por Kombëtarja jonë u kthye gradualisht dhe në fund e kërkoi edhe barazimin. Por grekët me shumë vështirësi e mbajtën epërsinë dhe rezultati në fund ishte 26:25.
Më efikasi te Kosova ishte kapiteni Valon Dedaj me 6 gola. Luigj Quni i realizoi pesë gola.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan të mërkurën. Nga ora 19:15 në Prishtinë takohemi me Turqinë.

Lajme tjera