Samadrexha mposht Vushtrrinë dhe del në pozitën e dytë

Samadrexha ka vazhduar me rezultate të mira në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Të dielën në kuadër të xhiros së tetë, Samadrexha e mposhti Vushtrrinë me rezultat 34:30. Ndeshja u zhvillua në Samadrexhë në praninë e një numri të madh shikuesish dhe në atmosferë të bukur sportive.
Samadrexha me fitore doli në pozitën e dytë me 12 pikë, dy më pak se Ferizaj që udhëheq në tabelë. Vushtrria është e pesta me tetë pikë.
Rabia Oz dhe Fetane Uzunlar shënuan nga shtatë gola për Samadrexhën. Te Vushtrria, Albulena Kelmendi i kishte dhjetë gola, ndërsa Agnesa Hysa nëntë.
Po të dielën, Shqiponja fitoi në Deçan ndaj Jusuf Gërvallës me rezultat 50:27. Orgesa Gola i kishte 12 gola për skuadrën gjakovare, ndërsa 11 i kishte Sara Louise. Arjeta Imeraj i shënoi 11 gola për skuadrën Jusuf Gërvalla.
Fitore të thellë shënoi edhe Prishtina ndaj Ulpianës. Prishtina fitoi 50:25.
Mabinty Bangoura i shënoi 12 gola për Prishtinën, ndërsa Ermira Berisha i kishte 11 gola. Flaka Hoti e Ermira Krasniqi i realizuan nga shtatë gola për skuadrën e Ulpianës.

Lajme tjera