Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Fitore bindëse ndaj Kaledonisë së Re, ndaj Nigerisë për titull kampioni

Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll (vajzat) është kualifikuar në finale të IHF Trophy Intercontinental.
Të shtunën paradite në Uzbekistan, vajzat tona fituan bindshëm ndaj Kaledonisë së Re, me rezultat 27:16. Në finale, të dielën, Kombëtarja jonë luan ndaj Nigerisë.
Ndaj Kaledonisë së Re, Kosova U18 ka dominuar plotësisht, sidomos në pjesën e dytë.
Për rreth 20 minuta loja ishte e barabartë, por më pas vajzat tona nisën shkëputjen. Pjesa e parë përfundoi 14:10 për Kosovën U18. Në pjesën e dytë rezultati ishte 13:6.
Diona Dresh u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes. Ajo i realizoi nëntë gola nga 11 tentime. Nga katër gola i shënuan Sara Gjergjaj e Arjeta Imeraj, ndërsa nga tri i kishin Arona Krasniqi e Andra Uglani.
Për kualifikim në Kampionat Botëror, Kosovës U18 i duhet fitorja ndaj Nigerisë në finale. Ndryshimi është kumtuar vetëm të shtunën nga përgjegjësit e IHF-së. Pra nuk mjafton arritja në finale, por vetëm vendi i parë siguron pjesëmarrjen në Botëror.
Vajzat tona janë të përkushtuara që ndaj Nigerisë të japin më të mirën për ta fituar titullin në IHF Trophy dhe për të siguruar paraqitjen historike në Botëror.