Ngritja e kombëtares së Kosovës në hendboll (femrat) është konfirmuar edhe të enjten nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHF). EHF-ja ka përcaktuar vazot për shortin e kualifikimeve për “Euro 2020” dhe në vazo është edhe Kosova. Pra Kosova për herë të parë paraqitet direkt në kualifikimet e rregullta e jo në parakualifikime. Kjo ndodhë për shkak të rezultateve pozitive të kombëtares tonë në vitet e fundit.
Për “Euro 2016”, Kosova nuk ia ka dalur të kalojë me sukses parakualifikimet, ku ishte në grup me Finlandën e Izraelin. Për “Euro 2018”, Kosova kaloi me sukses parakualifikimet duke fituar ndaj Izraelit e Gjeorgjisë. Kështu siguroi kualifikimet e rregullta dhe ndeshjet me kombëtare elitare si Hungaria, Holanda e Bjellorusia.
Për “Euro 2020” Kosova nuk bënë pjesë në parakualifikime fare. Në parakualifikime janë Izraeli, Finlanda, Greqia e Luksemburgu. Këto kombëtare do të luajnë mes vete prej 31 majit deri më 2 qershor dhe vetëm fituesi i grupit kalon aty ku tashmë është Kosova.
Shorti për kualifikimet e rregullta për “Euro 2020” do të hidhet më 4 prill në Kopenhagë. Në kualifikime do të paraqiten kampioni i vitit 2018, Franca, nënkampioni, Rusia dhe Holanda që ishte e treta. 28 ekipe kombëtare do të paraqiten në kualifikime, ndërsa do të formohen shtatë grupe me nga katër kombëtare. Dy të parët e secilit grup kualifikohen për në kampionatin evropian që mbahet në dhjetor të vitit 2020 në Norvegji e Danimarkë.
Për shortin e kualifikimeve, Kosova do të jetë në vazon e katërt së bashku me Zvicrën, Islandën, Portugalinë, Lituaninë, Ishujt Faroe dhe fituesin e parakualifikimeve.
Vazoja 1: Franca, Holanda, Rusia, Suedia, Rumania, Mali i Zi, Gjermania
Vazoja 2: Serbia, Çekia, Hungaria, Spanja, Sllovenia, Polonia, Kroacia
Vazoja 3: Austria, Bjellorusia, Sllovakia, Turqia, Maqedonia, Ukraina, Italia
Vazoja 4: Zvicra, Islanda, Portugalia, Lituania, Ishujt Faroe, Kosova, fituesi i parakualifikimeve
Orari i ndeshjeve:
Raundi 1: 25/26 shtator 2019
Raundi 2: 28/29 shtator 2019
Raundi 3: 25/26 mars 2020
Raundi 4: 27/28 mars 2020
Raundi 5: 27/28 maj 2020
Raundu 6: 31 maj 2020