Ndeshje dramatike në Podujevë, Trepça fiton me gol në aksionin e fundit

Një ndeshje shumë dramatike është luajtur të martën mbrëma në Podujevë. Llapi i ka shkaktuar telashe të mëdha Trepçës që llogaritej favorite. Llapjanët me angazhim dhe me luftë sportive kanë bërë që ndeshja të vendoset vetëm në aksionin e fundit. Trepça fitoi me rezultat 29:28, ndërsa golin e fundit mitrovicasit e shënuan në minutën e fundit. Ishte Alban Shabani që shënoi për 29:28 në minutën e 60-të.

Pjesa e parë ishte kryesisht e barabartë, me epërsi të lehtë të mysafirëve. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 14:12 për Trepçën. Shpejt në pjesën e dytë epërsia e mysafirëve u rrit në pesë gola, 17:12. Në minutën e 47-të rezultati u barazua në 23:23. Më pas Llapi ishte në epërsi, 24:23. Sërish mitrovicasit kishin më shumë, ndërsa në fund rezultati u barazua në 27:27 e 28:28.

Kushtrim Kastrati ishte më efikasi te Trepça me 8 gola. 6 i kishte Alban Shabani e 5 Fitim Klinaku. Te Llapi, Besian Abazi i kishte 9 gola. 8 i shënoi Rifat Visoka e 6 Altir Muçiqi.
Trepça përfundoi stinorin vjeshtor në pozitën e dytë me 24 pikë, sa i ka edhe Prishtina e vendit të tretë. Ndërsa Llapi është i shtati me 10 pikë. Llapin e pret garë e fortë për të vazhduar në Superligën A.

Derbi tjetër i xhiros së 14-të të Superligës është luajtur në Ferizaj. Kastrioti vendas fitoi ndaj Deçanit me rezultat 35:29. Edhe kjo ndeshje ishte e fortë, ndërsa vendasit u shkëputën në 15 minutat e fundit. Kastrioti është i pesti me 14 pikë. Deçani mban vendin e tetë me 8 pikë.
Festim Mustafi i shënoi 17 gola për Kastriotin. Fatlind Mazrekaj e Albion Loshaj shënuan nga 6 gola për Deçanin.

Po të martën, Besa Famgas fitoi thellë ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, 51:25. Ndërsa Prishtina e mposhti Drenicën me 40:18.
Besa ka fituar të gjitha 14 ndeshjet dhe dimëron në krye me 28 pikë.

Lajme tjera