Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Vushtrria fiton derbin

Vushtrria e ka fituar derbin e javës së pestë në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Të shtunën në palestrën “Jeton Tërstena – Tota”, Vushtrria fitoi ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultatin 26:24.

Vushtrriaset e hapën ndeshjen më mirë dhe deri në fund të pjesës së parë krijuan epërsi prej shtatë golash. Por ferizajaset nuk u dorëzuan dhe u afruan në një gol në minutën e 39-të (17:16). Sërish vendaset kishin një seri të mirë dhe krijuan epërsi prej 26:21. Në fund rezultati ishte 26:24.

Burneta Rama me 7 gola dhe Donita Kasumi me 6, ishin më efikaset te Vushtrria. Elza Reçica e Lorena Matarova i shënuan nga 6 gola për Kastriotin.

Me dy gola dallim ka fituar edhe Prishtina ndaj Jusuf Gërvallës. Ndeshja në Deçan përfundoi me rezultatin 28:26 në të mirë të prishtinaseve.

Si mysafir fitoi edhe Vëllaznimi ndaj Dukagjinit, me rezultat 31:26.

Kampioni dhe lideri i klasifikimit, Istogu,nuk ka lejuar befasi ndaj Shqiponjës. Ka fituar me rezultat 34:21.