Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Dramë në Samadrexhë, Ferizaj vazhdon me fitore

Ndeshje shumë interesante e dramatike kanë ofruar të shtunën mbrëma Samadrexha e Ferizaj. Dy skuadrat e hendbollisteve u përballën në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës, ndërsa fitore me rezultat të ngushtë, 34:33, shënuan mysafiret nga Ferizaj.
Në minutën e 40-të, Samadrexha kishte epërsi prej katër golash, 26:22. Pasoi një periudhë e mirë e mysafireve dhe rezultati u barazua në 28:28 në minutën e 48-të.
Ndeshja vazhdoi të jetë e fortë e dramatike deri në fund. Me një gol u shkëputën herë njëra e herë skuadra tjetër. Në minutën e 55-të, Ferizaj kaloi në avantazh 32:30. Samadrexha u afrua në një gol, 32:31, por Shkurte Mehmeti shënoi në minutën e 58-të për 34:32. Në minutën e 59-të, Samadrexha u afrua në 34:33, me golin e shënuar nga Sevdanur Ozkan. Rezultati më nuk ndryshoi.
Pjesa e parë është dominuar nga lojtaret e Samadrexhës, që konfirmuan se janë në rrugën e duhur për t’u përfshirë në luftën për trofe. 21:15 ishte rezultati pas 30 minutave lojë, por Ferizaj megjithatë u kthye në pjesën e dytë për fitore shumë të rëndësishme.
Amanda Stein ishte më efikasja te Ferizaj me shtatë gola. Gjashtë i kishte Salemateu Camara, ndërsa nga pesë i realizuan Ama Lemos De Andrade dhe Sabrina Mar Morinigo.
Nëntë gola për Samadrexhën i shënoi Sevdanur Ozkan. Tetë i kishte Rabia Oz, ndërsa gjashtë i realizoi Jihen Ben Hrouz.
Për Ferizajn është fitorja e 14-të rresht. Udhëheq në tabelë me 28 pikë. Samadrexha është e treta me 20 pikë.
Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshje tjera të xhiros së 14-të.
Prishtina e mposhti Kastriotin me rezultatin 44:30. Celine Tolno Sia i realizoi plot 16 gola për Prishtinën, ndërsa tetë i kishte Bintou Oulare.
Kosovare Stagova u dallua te Kastrioti me 11 gola.
Ndërkohë Vushtrria fitoi me rezultat bindës, 50:25 ndaj Ulpianës. Burneta Rama udhëhoqi Vushtrrinë me 11 gola. Nëntë i shënoi Gentiana Basholli.
Nikelina Franca e Alketa Baftijari i shënuan nga tetë gola për Ulpianën.
Të dielën prej orës 19:00 është ndeshja Istogu – Jusuf Gërvalla.

Lajme tjera