Drejtuesit e FHK-së presin presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi

Drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës, presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci kanë pritur të mërkurën presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ishte i shoqëruar nga këshilltari, Besim Aliti.
Të dyja palët kanë diskutuar gjetjen e formave të forcimit të bashkëpunimit mes FHK-së dhe KOK-ut. Drejtuesit e hendbollit kosovar kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me KOK-un, ndonëse bashkëpunimi edhe deri më tani ka qenë shembullor.
Temë diskutimi ishte edhe Granti Ekipor për Kombëtaren e hendbollit, konkurrenca e meshkujve, grant ky që ndahet nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, për çka drejtuesit e FHK-së shprehën mirënjohjen ndaj KOK-ut.
Një tjetër çështje që u bisedua ishte Kampionati Botëror i Hendbollit për Universitete, i cili do të mbahet vitin ardhshëm në Prishtinë, pas organizimit të fituar nga Federata e Sportit Universitar të Kosovës.
Partner i këtij organizimi është edhe FHK-ja, e cila pritet të nënshkruajë edhe një memorandum bashkëpunimi me Federatën Botërore të Sportit Universitar (FISU), në të cilën do të detajizohen detyrat dhe obligimet e secilës federatë. FHK-ja do të marrë përsipër pjesën profesionale të ngjarjes.
Kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini, është nënpresident i KOK-ut.

Lajme tjera