Rahoveci shënon fitoren e 20-të rresht, e mposht me dy gola dallim Trepçën

Rahoveci e ka shënuar edhe fitoren e 20-të rresht në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në kuadër të xhiros së 20-të, Rahoveci e mposhti Trepçën me rezultatin 41:39.
Në 15 minutat e parë u luajt ndeshje e barabartë. Më pas vendasit u shkëputën dhe pjesa e parë përfundoi 23:14.
Mysafirët nuk u dorëzuan dhe në fund u afruan në dy gola, 41:39. Por pa mundur të ndalin serinë e “vreshtarëve”.
Florian Rexha i shënoi tetë gola për Rahovecin. Gjashtë i kishte Adonit Isufi, ndërsa nga pesë i realizuan Alban Haziri e Igor Radojeviq.
Te Trepça plot 16 gola i realizoi kapiteni Sali Maxhera. 12 gola i kishte Yassine Henahen.
Rahoveci udhëheq me 40 pikë. Trepça mbetet në pjesën e epërme të tabelës me 24 pikë.
Po të shtunën, Kastrioti fitoi bindshëm ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, me rezultatin 48:22. Festim Mustafa i kishte 7 gola për Kastriotin, sa edhe Beni Sula. Luigj Kolaj e Ardi Halili i realizuan nga 8 gola për ekipin gjakovar.
Fitore bindëse shënoi edhe Vushtrria ndaj Deçanit, 37:19.
Fitim Klinaku i realizoi 10 gola për vushtrriasit, ndërsa shtatë i kishte Egzon Ademi.
Te Deçani, Albilon Loshaj i kishte 6 gola, kurse nga 5 i kishin Aldijon Cacaj e Valmir Selmanaj.

Lajme tjera