“Vreshtarët” të pandalshëm, fitojnë edhe një derbi

Rahoveci po shfaqet si skuadër e pamposhtur këtë edicion. “Vreshtarët” kanë fituar edhe një derbi, përkatësisht përballje ndaj skuadrës që synon trofe.
Të mërkurën mbrëma në “Mizahir Isma”, Rahoveci e mposhti Kastriotin e Ferizajt me rezultat 37:32. Loja ishte e fortë nga fillimi e deri në fund. Por rahovecasit kanë shfaqur më tepër dhe kanë shënuar fitoren e 24-t rresht. Udhëheqin në tabelë me 48 pikë, tetë më shumë se Besa Famgasi. Kastrioti është i treti me 30 pikë.
Nga fillimi lojtarët e Rahovecit kaluan para në rezultat. Mysafirët megjithatë nuk u dorëzuan. Në pjesën e parë u afruan në një gol, por pa barazuar.
Në pjesën e dytë Rahoveci mbajti vazhdimisht epërsi të lartë, që shkoi deri në nëntë gola. Egzon Gjuka, i kthyer pak kohë më parë nga lëndimi, ka udhëhequr Rahovecin me tetë gola. Tetë i kishin edhe aloja Mali Luzha dhe qendra Alban Haziri. Formë të mirë kanë shfaqur edhe portierët.
Te Kastrioti më efikasi ishte aloja Lulzim Shabani. Ai ndeshjen e përfundoi me 11 gola.
Pesë i kishte Deniz Terziqi, ndërsa nga katër Rron Ramadani e Festim Mustafa.
Të martën, Besa Famgas fitoi 51:18 ndaj Vëllaznimit.
Xhiroja e 24-t mbyllet me ndeshjen Prishtina – Vushtrria, që është të enjten prej orës 20:00.

©️📸Shqipron Berisha

Lajme tjera