Saraçini e Idrizi në Konferencën e Presidentëve

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini dhe nënpresidenti Enis Idrizi, po qëndrojnë në Kelln të Gjermanisë ku është mbledhur elita evropiane e hendbollit.

Në kuadër të FINAL4 të EHF Ligës së Kampionëve është mbajtur Konferenca e Presidentëve të Federatave Nacionale, anëtare të EHF-së. Ishte kjo Konferenca e 14-të të Presidentëve të EHF-së.

Në punimet e Konferencës morën pjesë 80 përfaqësues të 50 federatave anëtare të EHF-së, ndërsa është diskutuar për zhvillimet e fundit në sportin tonë. Ndër të tjera është diskutuar për kalendarin e ri ndërkombëtar dhe për zgjerimin e evropianit të hendbollisteve në 24 skuadra, që nga viti 2024.

Presidentët janë informuar edhe për bashkëpunimet e reja komerciale të EHF-së dhe për planet e EHF-së. 

Këtë ngjarje të rëndësishme presidenti Saraçini dhe nënpresidenti Idrizi e kanë shfrytëzuar edhe për takime të shumta, ku është diskutuar për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit kosovar. Saraçini e Idrizi do të ndjekin nga afër edhe ndeshjet e FINAL4 të Ligës së Kampionëve për hendbollistë.

Lajme tjera